
Kryetarja e OIK merr pjesë në Kongresin Ndërkombëtar në Slloveni
Kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës, znj. Nexhmije Gori, po merr pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Shëndetit dhe Kujdesit për Mamitë, që po mbahet në Qendrën e Kongresit Brdo, në Slloveni.
Ky kongres, me temën “Shëndeti në Dritën e Ndryshimeve Globale – Edhe Më Të Fortë Së Bashku”, ka mbledhur profesionistë nga mbarë bota për të diskutuar zhvillimet më të fundit në kujdesin për nënat dhe fëmijët, përfshirë qasje inovative dhe praktika të qëndrueshme në sistemin shëndetësor.
Gjatë pjesëmarrjes së saj, znj. Gori ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të Federatës Evropiane të Shoqatave të Infermierëve (EFN) dhe të Shoqatës Ndërkombëtare të Mamive (ICM), ku është diskutuar për fuqizimin e rolit të infermierëve dhe mamive përballë sfidave globale.
Po ashtu, ajo ka takuar edhe Ministren e Shëndetësisë së Sllovenisë, Prof. Dr. Valentina Prevolnik Rupel, me të cilën është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e kujdesit shëndetësor, si dhe për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në avancimin e profesionit të infermierisë dhe mamisë.
Pjesëmarrja e znj. Gori në këtë ngjarje ndërkombëtare përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit të Odës së Infermierëve të Kosovës në rrjetet profesionale evropiane dhe globale.