Shënohet Dita Ndërkombëtare e Mamive, nis Java e Infermierisë
Prishtinë, 5 maj –
Me ceremoni solemne është shënuar Dita Ndërkombëtare e Mamive, e cila njëkohësisht shënoi edhe hapjen zyrtare të Javës së Infermierisë, në një aktivitet të organizuar nga Oda e infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë.
Në këtë ngjarje, kryetarja e OIK, Nexhmije Gori, theksoi rolin e pazëvendësueshëm të mamive në sistemin shëndetësor, si profesioniste që qëndrojnë pranë jetës që në momentet e para të saj, duke ofruar kujdes, siguri dhe mbështetje për nënat dhe foshnjat.
Në fjalën e mbajtur, Gori vlerësoi përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjësinë e lartë të mamive dhe infermierëve, të cilët shpesh punojnë në kushte sfiduese, por me integritet dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj pacientëve.
Gjatë aktivitetit, u bë e ditur se Oda ka ndërmarrë dy hapa konkretë në mbështetje të anëtarëve të saj. Fillimisht, është nisur ofrimi i shërbimeve juridike për profesionistët shëndetësorë, duke përfshirë këshillim ligjor dhe mbrojtje në raste të kontesteve në vendin e punës apo procedurave disiplinore.
Po ashtu, është nënshkruar një marrëveshje për sigurime jetësore për anëtarët, e cila synon të ofrojë mbrojtje financiare për familjet e tyre dhe siguri shtesë për vetë profesionistët.
Në kuadër të kësaj dite, janë ndarë edhe mirënjohje për mami dhe infermierë të dalluar, të propozuar nga institucionet ku ata punojnë, si shenjë respekti për kontributin dhe punën e tyre të palodhshme.
Java e Infermierisë, e cila ka nisur sot, do të shërbejë si një platformë për të ngritur më tej ndërgjegjësimin për rëndësinë e këtij profesioni, si dhe për të adresuar sfidat dhe nevojat me të cilat përballen profesionistët shëndetësorë në vend.
Nga ky aktivitet u bë thirrje për më shumë investim në profesionet shëndetësore dhe për përmirësim të kushteve të punës, në mënyrë që të ndërtohet një sistem shëndetësor më i fortë dhe më i drejtë.
