Blog

HomeNovostiNjoftim lidhur me shërbimet juridike dhe sigurimet shëndetësore e të jetës për anëtarët e OIK-ut

Njoftim lidhur me shërbimet juridike dhe sigurimet shëndetësore e të jetës për anëtarët e OIK-ut

Të nderuar anëtarë të OIK-ut,

Me kënaqësinë më të madhe ju informojmë zyrtarisht se OIK-u, në vazhdën e përpjekjeve për përmirësimin e gjendjes materiale dhe sociale të anëtarësisë së vet, ka ndërmarrë disa hapa shumë të rëndësishëm për përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave tuaja juridike, si dhe për sigurimet shëndetësore dhe të jetës.

Falë përpjekjeve të organeve të OIK-ut, ne kemi arritur që të gjitha këto shërbime t’i sigurojmë me një kosto minimale financiare.

Pakoja e shërbimeve juridike përfshin:

  1. Shërbime juridike sipas parimit rast për rast, duke përfshirë përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave ligjore të Odës para gjykatave të të gjitha niveleve, prokurorive, organeve të administratës publike qendrore dhe lokale, organeve disiplinore dhe çdo autoriteti tjetër kompetent. Përfaqësimi përfshin ndërmarrjen e të gjitha veprimeve procedurale, ushtrimin dhe tërheqjen e mjeteve juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme, si dhe përfaqësimin në procedura të ndërmjetësimit, ujdi gjyqësore dhe jashtëgjyqësore.
  2. Përfaqësim profesional për anëtarët e Odës në rastet e ushtrimit të padive për dëmshpërblim për shkak të shkeljes së nderit, cenimit të dinjitetit dhe dëmtimit të integritetit profesional. Kjo përfshin përgatitjen e padive, përfaqësimin në procedura civile për kompensim të dëmit material dhe jomaterial, si dhe ndërmarrjen e çdo veprimi të nevojshëm për mbrojtjen efektive të reputacionit profesional të anëtarëve.
  3. Mbrojtje ligjore në të gjitha çështjet që burojnë nga marrëdhënia e punës, përfshirë, por pa u kufizuar në kontestet lidhur me ndërprerjen e kontratës së punës, procedurat disiplinore, mosrespektimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës, mospagesën e pagës, diskriminimin dhe çdo shkelje tjetër të të drejtave të garantuara me legjislacionin e punës në fuqi.
  4. Shërbimet juridike do të përfshijnë gjithashtu përfaqësimin në procedura administrative dhe gjyqësore që lidhen me fitimin e pensionit të pleqërisë, pensionit invalidor, pensionit familjar, njohjen e stazhit të punës dhe çdo kontest tjetër me autoritetet kompetente pensionale.
  5. Ofruesi i shërbimeve do të përfaqësojë anëtarët e Odës edhe në kontestet që kanë të bëjnë me zbatimin e procedurave të konkurseve publike, duke përfshirë ankesat ndaj rezultateve të konkurseve, shkeljet procedurale në procesin e rekrutimit dhe kontestet administrative apo gjyqësore që rrjedhin nga këto procedura.

Ndërsa pakoja e sigurimeve shëndetësore dhe të jetës përfshin:

Polica e sigurimit do të mbulojë rastet e sigurimit:

  1. Vdekje për shkaqe aksidenti,
  2. Vdekja e shkaktuar nga sëmundjet profesionale
  • Vdekje natyrale (si pasoj e sëmundjeve të ndryshme)
  1. Pa aftësi – Invaliditeti për shkak të aksidetit
  2. Kompensim për sëmundjet e rënda duke përfshirë:
    • Atak kardiologjik
    • Kardiokirurgji (Intervenim i hapur), Intervenim i aortës, kirurgji by-pass i aortës, Implantim të valvulës së zemrës, verbëri, shurdhëri, sklerozë multitiple, djegie e shkallës së tretë, paralizë, sëmundje alzhajmer, gjendje kome.
    • Sulm në tru
    • Dështim kronik të veshkëve
  3. Sëmundje onkologjike
  • Qëndrim në spital
  • Thyrje e kockave për shkak të aksidentit.
  1. Kirurgji kozmetike për shkak të pasojave të aksidentit.

Tabela e Mbulesave Siguruese

Nr. Përshkrimi Shumat Siguruese
1 Vdekje nga aksidenti € 3,500
2 Invaliditet nga aksidenti € 1,500
3 Paaftësi nga lëndimi në punë € 3,000
4 Sëmundje onkologjike € 4,000
5 Vdekje nga sëmundje profesionale € 3,500
6 Vdekje natyrale (deri në moshën 65 vjeç) € 1,000
7 Sëmundje të rënda nga pika -V- € 750
8 Qëndrim spitalor 7 – 14 ditë € 100
9 Qëndrim spitalor 15 – 21 ditë € 150
10 Qëndrim spitalor mbi 22 ditë € 200
11 Kirurgji kozmetike si pasojë e aksidentit € 250

Këto pako hyjnë në fuqi nga data 1 korrik 2026, andaj ne jemi të obliguar që deri më datë 01.06.2026 të procedojmë listën e anëtarëve aktivë që përfshihen në shërbimet e sigurimeve shëndetësore dhe mbrojtjes ligjore.

Për të siguruar një gjithëpërfshirje të anëtarëve të saj, Kuvendi i OIK-ut ka miratuar vendim për caktimin e lartësisë së anëtarësisë si në vijim:

  1. Taksa e anëtarësisë për të gjithë të punësuarit në sistemin publik paguhet në shumën prej 0.5% nga paga bruto dhe e njëjta inkasohet nga sistemi i pagesave Payroll (Ministria e Financave – Thesari i Kosovës).
  2. Anëtarët e papunë dhe të punësuarit në sektorin privat paguajnë anëtarësinë në shumën prej 3 euro në muaj.
  3. Anëtarët e OIK-ut që kanë statusin e pensionerit paguajnë anëtarësinë në shumën prej 2 (dy) euro në muaj.
  4. Pagesa e anëtarësisë për anëtarët e OIK-ut nga pika 2 dhe 3 e këtij vendimi bëhet në baza vjetore.
  5. Mospërmbushja e këtij obligimi për më shumë se 6 muaj do të ketë për pasojë inicimin e procedurës disiplinore në pajtim me ligjet në fuqi.
  6. Çdo ngecje në pagesë do të ketë për pasojë çregjistrimin nga regjistri i anëtarëve dhe revokimin e licencës, sipas Rregullores për Anëtarësim, nenit 10 dhe 11.

Për të përfshirë edhe anëtarët nga pika 2 dhe 3 e vendimit, ju duhet që të gjeneroni faturën për një vit, ndërsa anëtarët të cilët kanë bërë pagesën për 5 vite duhet të rimbursojnë diferencën në mes të shumës së anëtarësisë të paguar më parë për muaj me diferencën e mbetur sipas shumës së anëtarësisë, bazuar në Vendimin 158 të datës 02.03.2026 të Kuvendit të OIK-ut.

Pagesën e anëtarësisë mund ta gjeneroni përmes profilit tuaj në platformën elektronike të OIK në menynë “Pagesa e anëtarësisë”, duke klikuar butonin “Gjenero pagesën e anëtarësisë dhe faturën”. Periudha minimale është 1 vit dhe fatura do t’ju dërgohet në email. Nëse posedoni borxh për periudhën paraprake, ai do t’i bashkangjitet faturës.

Të gjitha mjetet nga anëtarësia do të shkojnë ekskluzivisht në mbulimin e kostos së shërbimeve shëndetësore dhe atyre juridike, prandaj për të qenë pjesë e listës së shfrytëzuesve të këtyre shërbimeve, ju duhet të përmbushni obligimet tuaja deri më datë 01.06.2026. Përndryshe, pas kësaj date do të jetë e pamundur të jeni pjesë e kësaj liste të përfituesve.

Jemi shumë të lumtur dhe me fat që kemi arritur të kontraktojmë këto shërbime kaq të rëndësishme dhe të dobishme për komunitetin tonë, me kosto financiare kaq të ulët, dhe jemi zotuar që i gjithë kontributi juaj të kthehet shumëfish në interesin tuaj.

Ju lutemi, për çdo informatë shtesë, të na kontaktoni në emailin [email protected]