Përfundon me sukses trajnimi për Mbikëqyrës Profesionalë
Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë të Kosovës (OIK), nga data 2 deri më 6 nëntor 2026, organizoi trajnimin pesëditor për Mbikëqyrës Profesionalë, me mbështetjen e Projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS).
Trajnimi u realizua nga ekspertet e Odës së Infermierëve të Kroacisë, Sandra Karabatić dhe Senka Repovečki, ekspert vendor Prof. Hysni Bajrami, hartues i rregullores për Mbikëqyrjen Profesionale, të cilët ndanë njohuritë dhe përvojat e tyre mbi metodologjinë e mbikëqyrjes profesionale, zbatimin e standardeve dhe procedurave të punës, vlerësimin profesional, dokumentimin e gjetjeve dhe hartimin e rekomandimeve për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
Përveç ligjëratave teorike dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit zhvilluan edhe vizita në institucionet shëndetësore, ku patën mundësi të njihen nga afër me organizimin e punës, dokumentacionin dhe praktikat e kujdesit infermieror.
Në përfundim të trajnimit u organizua provimi për vlerësimin e njohurive dhe kompetencave të fituara, pas të cilit 40 pjesëmarrës u certifikuan si Mbikëqyrës Profesionalë.
Ky trajnim shënon një hap të rëndësishëm për OIK-un drejt funksionalizimit të mbikëqyrjes profesionale, në përputhje me Rregulloren për Mbikëqyrjen Profesionale të Punës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve Tjerë Shëndetësorë, nr. 148, datë 27.02.2026.
OIK-u shpreh falënderim të veçantë për ekspertët për kontributin dhe përkushtimin e tyre profesional, si dhe për Projektin IHS për mbështetjen në realizimin e këtij trajnimi.
Gjithashtu, falënderojmë Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për bashkëpunimin dhe mbështetjen institucionale, si dhe Inspektoratin Shëndetësor për koordinimin dhe bashkëpunimin në procesin e zhvillimit dhe funksionalizimit të mbikëqyrjes profesionale.
Mirënjohje për të gjitha institucionet shëndetësore, përfaqësuesit institucionalë dhe të gjithë akterët që kontribuuan në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për pjesëmarrësit për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë trajnimit.
Urime të 40 Mbikëqyrësve Profesionalë të certifikuar!
Për t’u informuar për aktivitetet dhe njoftimet e ardhshme të OIK-ut, ju ftojmë të bashkoheni në grupin tonë zyrtar në Viber:
https://invite.viber.com/?g2=AQBJDgnbmqmT4lY59EX0r9QMezC3WLIIFxkyHaD5f…