Blog

HomeUncategorizedNJOFTIM PËR PËRMBUSHJEN E OBLIGIMEVE TË ANËTARËSISË NË OIK

NJOFTIM PËR PËRMBUSHJEN E OBLIGIMEVE TË ANËTARËSISË NË OIK

Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë të Kosovës u rikujton të gjithë anëtarëve që kanë obligime të papërmbushura të anëtarësisë që t’i shlyejnë ato sa më parë.

 

Anëtarësimi dhe pagesa e rregullt e anëtarësisë janë obligime ligjore për profesionistët shëndetësorë të regjistruar në OIK, në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-150 për Odat e Profesionistëve Shëndetësor, Ligjin Nr. 04/L-125 për Shëndetësi, si dhe Rregulloren Nr. 769, datë 01.07.2024, për Regjistrim dhe Anëtarësim në OIK.

 

Ju rikujtojmë se mospagesa e anëtarësisë nuk sjell lirimin nga obligimet financiare të krijuara ndaj OIK-ut. Të gjitha obligimet e papërmbushura mbeten të evidentuara dhe duhet të shlyhen sipas procedurave në fuqi.

 

Sipas Rregullores për Regjistrimin dhe Anëtarësimin e Profesionistëve të OIK-ut, anëtarët kanë obligim që anëtarësinë ta paguajnë në mënyrë të rregullt. Në rast të mosplotësimit të këtij obligimi dhe pas zbatimit të procedurave të përcaktuara, mund të ndërmerren masat e parapara me legjislacionin dhe aktet e OIK-ut.
Në veçanti, nëse anëtari nuk e paguan tarifën e anëtarësisë brenda gjashtë muajve, sipas procedurës së përcaktuar mund të merret vendim për përfundimin e anëtarësimit, fshirjen nga Regjistri i anëtarëve dhe humbjen e të drejtave që burojnë nga anëtarësimi, përfshirë të drejtën për licencë. Me humbjen e statusit të anëtarit pushon edhe vlefshmëria e licencës së punës.
Ligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë parasheh gjithashtu marrjen e masave disiplinore në rast të mosplotësimit të obligimeve të anëtarit.

 

Anëtari i cili e humb statusin e anëtarit për shkak të mospagesës dhe më pas kërkon të anëtarësohet përsëri në OIK, obligohet të paguajë dyfishin e tarifës për regjistrim në Regjistër, në përputhje me Rregulloren dhe vendimin përkatës të Kuvendit të OIK-ut.

 

Për informata shtesë lidhur me gjendjen tuaj financiare dhe mënyrën e pagesës së anëtarësisë, ju lutemi të kyçeni në profilin tuaj elektronik në platformën e OIK-ut.

Në menynë “Pagesa e anëtarësisë” mund të kontrolloni obligimet tuaja, të gjeneroni borxhin e evidentuar dhe të shihni detajet përkatëse për pagesën e anëtarësisë.

 

ANËTARËT QË DËSHIROJNË TË ÇREGJISTROHEN

Nëse një anëtar dëshiron të heqë dorë nga anëtarësimi në OIK dhe, rrjedhimisht, nga e drejta për ushtrimin e profesionit në bazë të licencës së lëshuar nga OIK-u, duhet të parashtrojë kërkesë për çregjistrim.

Me rastin e paraqitjes së kërkesës për çregjistrim duhet të dorëzohen:
• licenca profesionale origjinale;
• kartela e anëtarësisë;
• dëshmia për shlyerjen e obligimeve të anëtarësisë deri në datën e paraqitjes së kërkesës.
Vetëm pas përmbushjes së obligimeve dhe përfundimit të procedurës përkatëse merret vendimi për çregjistrim. Çregjistrimi nga Regjistri i Anëtarësisë nënkupton edhe heqjen dorë nga e drejta për ushtrimin e veprimtarisë profesionale në bazë të licencës së OIK-ut.

 

KALIMI NË PLATFORMËN E RE TË OIK-ut
Njëkohësisht, ju njoftojmë se OIK-u është në fazën finale të kalimit në platformën e re elektronike për menaxhimin e anëtarësisë, licencimit dhe shërbimeve të tjera.
Platforma e re është ndërtuar në përputhje me legjislacionin dhe aktet normative në fuqi dhe do të mundësojë evidentimin dhe menaxhimin më të saktë të obligimeve të anëtarësisë për secilin anëtar.

 

Për këtë arsye, të gjithë anëtarët që kanë obligime të papërmbushura ftohen që t’i shlyejnë ato sa më parë, në mënyrë që statusi i tyre i anëtarësisë dhe të dhënat në sistem të jenë të rregullta.

 

Anëtarësimi në OIK, krahas të drejtave dhe përfitimeve që ofron, përfshin edhe obligimet dhe përgjegjësitë që burojnë nga legjislacioni në fuqi dhe aktet e Odës.

 

Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.