Blog

HomeUncategorizedUrime 12 Maji – Dita Ndërkombëtare e Infermierisë!

Urime 12 Maji – Dita Ndërkombëtare e Infermierisë!

Të nderuar kolegë, infermierë e infermiere, mami dhe profesionistë tjerë shëndetësorë

 

Sot, më 12 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë, bashkohem me ju për të shprehur mirënjohjen më të thellë për punën tuaj të palodhur, përkushtimin dhe humanizmin që e manifestoni çdo ditë në kujdesin ndaj pacientëve tanë.

 

Kjo ditë nuk është vetëm një datë kalendarike – është një kujtesë për rëndësinë jetike të profesionit tonë, për sakrificat e panumërta që bëjmë dhe për rolin thelbësor që kemi në sistemin shëndetësor dhe në shoqëri.

 

Sfidat tona janë të mëdha, por edhe forca jonë është e jashtëzakonshme. Infermierët janë shtylla e kujdesit shëndetësor – pranë pacientit në çdo hap të udhëtimit të tij, nga lindja e deri në momentet më të ndjeshme të jetës.

 

Oda e Infermierëve të Kosovës është e përkushtuar që të mbrojë dinjitetin tuaj profesional, të avokojë për kushte më të mira pune, zhvillim profesional dhe trajtim të drejtë për secilin prej jush.

 

Me këtë rast, OIK do të ndajë mirënjohje për infermierë dhe infermiere nga të gjitha institucionet shëndetësore të vendit, në shenjë falënderimi për punën, përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm në shërbim të pacientëve dhe shëndetit publik. Këto mirënjohje janë simbol i vlerësimit për rolin thelbësor që secili prej jush luan në përditshmëri – me profesionalizëm, humanizëm dhe përgjegjësi të lartë.

 

Në këtë ditë të veçantë, le ta ngremë zërin për më shumë investim në infermierinë, për më shumë respekt për profesionin tonë dhe për një sistem shëndetësor që e vlerëson kontributin tonë ashtu siç e meriton.

 

Urime 12 Maji – Dita Ndërkombëtare e Infermierisë!

 

Me respekt dhe mirënjohje,

Nexhmije Gori

Kryetare e Odës së Infermierëve të Kosovës