
Njoftim i rëndësisë së veçantë për shpërndarjen e licencave me postë
Të nderuar anëtarë,
Oda e Infermierëve të Kosovës, me qëllim të lehtësimit të procedurave dhe ofrimit të shërbimeve më efikase për anëtarët e saj, njofton se Këshilli Drejtues i OIK ka marrë vendim që nga data 1 shtator 2025 të fillojë shpërndarja e licencave përmes shërbimit postar. Ky vendim është marrë për të shmangur nevojën e paraqitjes fizike në zyrat e OIK dhe për të mundësuar që anëtarët të marrin licencën e tyre në adresën e deklaruar, duke kursyer kohë dhe kosto të panevojshme.
Gjatë aplikimit për licencim ose ri-licencim përmes platformës elektronike të OIK, është e detyrueshme që të deklarohet adresa e saktë postare ku dëshironi të pranohet licenca. Adresa duhet të përmbajë të gjitha të dhënat e nevojshme për shpërndarje të saktë, duke përfshirë rrugën ose lagjen, numrin e shtëpisë apo banesës, fshatin ose qytetin, komunën, kodin postar si dhe numrin e telefonit aktiv. Pas përfundimit të shqyrtimit të aplikimit dhe miratimit nga OIK, anëtari do të pranojë një njoftim zyrtar përmes emailit se licenca është gati për t’u dërguar. Në momentin e pranimit të këtij njoftimi, është e rëndësishme që anëtari të jetë i qasshëm në adresën e dhënë dhe të ketë telefonin në dispozicion për kontakt nga shërbimi postar.
OIK nuk mban përgjegjësi për vonesa apo kthim të licencës që mund të ndodhin si pasojë e të dhënave të pasakta ose adresës së paplotë të deklaruar nga anëtari. Në rast se licenca nuk mund të dorëzohet për shkak të mungesës së marrësit ose adresës së pasaktë, ajo do të kthehet në zyrat e OIK dhe tërheqja e saj do të mund të bëhet fizikisht në zyrat e institucionit. Ky proces synon të rrisë efikasitetin, transparencën dhe shërbimin ndaj anëtarëve tanë, duke e sjellë licencën më afër jush – në adresën tuaj.