
OIK dhe ShSKUK nënshkruan memorandum bashkëpunimi
Prishtinë, 14 gusht –
Kryetarja e Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetësor të Kosovës (OIK), znj. Nexhmije Gori, ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), të përfaqësuar nga drejtori i përgjithshëm, z. Elvir Azizi.
Ky memorandum shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me synim avancimin profesional të infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor në vend.
Marrëveshja parasheh mbështetje të përbashkët për edukimin e vazhdueshëm profesional, shkëmbimin e njohurive dhe përmirësimin e kushteve të punës, duke synuar rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
Përmes këtij bashkëpunimi, OIK dhe SHSKUK do të krijojnë mundësi të reja për trajnim, specializim dhe zhvillim të kapaciteteve profesionale për infermierë të profileve të ndryshme, duke kontribuar drejtpërdrejt në ngritjen e standardeve të kujdesit shëndetësor dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.