Blog

HomeLajmetMbahet Kuvendi i VI-të i Legjislaturës së III-të të OIK-ut

Mbahet Kuvendi i VI-të i Legjislaturës së III-të të OIK-ut

Vendime të rëndësishme për komunitetin infermieror

 

Prishtinë, 27 shkurt – Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësor(OIK) mbajti Kuvendin e VI-të të Legjislaturës së III-të, ku u diskutuan dhe u miratuan çështje kyçe për zhvillimin e mëtejmë të organizatës dhe profesionit të infermierëve në vend.

 

Në fjalën hyrëse, Kryetarja e OIK-ut, znj. Nexhmije Gori, theksoi rëndësinë e këtij takimi, duke përmendur progresin e arritur gjatë dekadës së parë të funksionimit të Odës. Ajo u bëri thirrje anëtarëve të Kuvendit që të marrin pjesë aktive në diskutime konstruktive për të ndihmuar në avancimin e profesionit të tyre.

 

Gjatë seancës, Kuvendi miratoi procesverbalin e mbledhjes së fundit, si dhe raportet e punës për vitin 2024 nga Këshilli Drejtues, Këshilli Mbikëqyrës, Këshilli Etik, Gjyqi i Nderit dhe Prokurori i OIK-ut. Gjithashtu, u votua dhe u miratua Raporti Financiar për vitin 2024, si dhe planet e punës dhe financiare për vitin 2025.

 

Një ndër pikat kryesore të rendit të ditës ishte edhe miratimi i Kodit Etik të Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë, i cili u aprovua me shumicë votash. Po ashtu, u miratuan Rregullorja për fushëveprimin e Prokurorit të OIK dhe Rregullorja për përcaktimin e llojit të shkeljeve etike dhe procedurave të mbikëqyrjes etike dhe profesionale nga Këshilli Etik.

 

Pas një dite të gjatë diskutimesh dhe vendimmarrjeje, Kryetarja e OIK-ut, znj. Nexhmije Gori, falënderoi anëtarët e Kuvendit për angazhimin dhe kontributin e tyre në forcimin e OIK dhe përmirësimin e kushteve të punës për infermierët në Kosovë.

 

Kuvendi i sotëm konfirmoi edhe një herë përkushtimin e OIK-ut për të garantuar një sistem më transparent, efikas dhe të orientuar drejt përmirësimit të shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët.