Legjislatura e Parë (2015–2019)
Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 04/L-150 për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, Republika e Kosovës krijoi për herë të parë bazën ligjore për vetëorganizimin, vetërregullimin dhe vetëqeverisjen e profesionistëve shëndetësorë. Ky ligj u delegoi odave profesionale një pjesë të rëndësishme të kompetencave shtetërore, duke u dhënë përgjegjësinë për rregullimin dhe zhvillimin e profesioneve shëndetësore në Republikën e Kosovës.
Më 23 janar 2015, pas një procesi zgjedhor demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës, u konstituua Kuvendi i parë i Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë të Kosovës (OIK). Në të njëjtën seancë u certifikuan rezultatet zgjedhore, u konstituuan organet drejtuese të Odës dhe z. Naser Rrustemaj u zgjodh Kryetari i parë i OIK-ut.
Procesi zgjedhor u vlerësua si një ndër proceset më demokratike të organizimit profesional në vend dhe u përshëndet nga përfaqësues të institucioneve shtetërore, odave profesionale dhe shoqatave homologe nga rajoni dhe Evropa, duke shënuar fillimin e funksionimit të Odës si institucion i pavarur profesional.
Legjislatura e parë u përqendrua në ndërtimin e themeleve organizative dhe institucionale të OIK-ut. Gjatë kësaj periudhe u krijuan strukturat drejtuese, administrata profesionale, komisionet e përhershme, regjistri profesional dhe baza e parë e të dhënave të anëtarëve. Njëkohësisht u hartuan dhe u miratuan aktet e para normative që rregulluan funksionimin e Odës, procedurat administrative dhe ushtrimin e kompetencave të deleguara me ligj.
Një etapë me rëndësi historike ishte bartja graduale e kompetencave nga Ministria e Shëndetësisë tek OIK, duke i mundësuar Odës administrimin e proceseve të licencimit, rilicencimit, regjistrimit profesional, Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP) dhe mbikëqyrjes së ushtrimit të profesionit.
Po në këtë legjislaturë, OIK lëshoi licencat e para profesionale për infermierët, mamitë dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë, duke shënuar fillimin e ushtrimit të plotë të kompetencave të saj ligjore dhe një moment historik në zhvillimin e profesioneve shëndetësore në Kosovë.
Përveç konsolidimit institucional, OIK vendosi themelet e bashkëpunimit me institucionet shtetërore, universitetet, organizatat profesionale vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, duke ndërtuar bazën për zhvillimin e mëtejshëm të profesionit dhe fuqizimin e rolit të Odës si institucioni përfaqësues i infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë në Republikën e Kosovës.
Nën administrimin e komisionit qendror zgjedhor te formuar nga ministria e shëndetësisë janë organizuara dhe mbajtur edhe dy kuvende konstituive pas se cilës janë zgjedhur te gjitha organet dhe komisionet e odes si në vijim:
| ORGANET
|
KOMISIONET |
| Këshilli Drejtues i Odes | Komisioni për Licencim |
| Këshilli Mbikëqyrës | Komisioni për Edukim të Vazhdueshëm |
| Këshilli Etik | Komisioni për Etik Profesionale |
| Gjygji i Nderit | Komisioni i Fondit të Solidaritetit |
| Prokurori i Odes | Komisioni për Praktik Private |