Benefitet nga Anëtarësia

HomeBenefitet nga Anëtarësia
Benefitet nga Anëtarësia në OIK
Benefit për anëtarët aktivë të OIK-ut

Benefitet nga Anëtarësia në OIK

OIK-u, në vazhdën e përpjekjeve për përmirësimin e mbrojtjes profesionale, juridike, sociale dhe materiale të anëtarësisë, ka siguruar një pako përfitimesh për anëtarët aktivë, duke përfshirë mbrojtjen ligjore, sigurimin e jetës, EVP dhe benefite të tjera që dalin nga anëtarësia.

Çka përfitojnë anëtarët e OIK-ut?

Të gjithë anëtarët e OIK-ut të cilët kanë përmbushur obligimet e anëtarësisë përfitojnë nga pakoja e benefiteve të OIK-ut pa pagesë shtesë.

Mbrojtje LigjoreMbrojtje dhe përfaqësim profesional për çështje që lidhen me profesionin, marrëdhënien e punës, pensionin dhe konkurset publike.
Sigurim i JetësMbulim sipas rasteve të përcaktuara në policën e sigurimit, për anëtarët e përfshirë në listën e përfituesve.
EVPPërfshirje në edukimin e vazhdueshëm profesional sipas organizimeve dhe kushteve të OIK-ut.
Benefite të tjeraPërfitime të tjera që dalin nga statusi i anëtarit aktiv të OIK-ut.

Mbrojtja Ligjore për anëtarët e OIK-ut

Pakoja e shërbimeve juridike ka për qëllim përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave profesionale dhe juridike të anëtarëve të OIK-ut në rastet kur të drejtat e tyre cenohen gjatë ushtrimit të profesionit, në marrëdhënien e punës apo në procedura të tjera që lidhen me statusin profesional të anëtarit.

Pakoja e shërbimeve juridike përfshin:

Shërbime juridike sipas parimit rast për rast
Përfshihen përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave ligjore të Odës para gjykatave të të gjitha niveleve, prokurorive, organeve të administratës publike qendrore dhe lokale, organeve disiplinore dhe çdo autoriteti tjetër kompetent. Përfaqësimi përfshin ndërmarrjen e të gjitha veprimeve procedurale, ushtrimin dhe tërheqjen e mjeteve juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme, si dhe përfaqësimin në procedura të ndërmjetësimit, ujdi gjyqësore dhe jashtëgjyqësore.
Përfaqësim profesional për mbrojtjen e nderit, dinjitetit dhe integritetit profesional
Anëtarët e Odës përfaqësohen në rastet e ushtrimit të padive për dëmshpërblim për shkak të shkeljes së nderit, cenimit të dinjitetit dhe dëmtimit të integritetit profesional. Kjo përfshin përgatitjen e padive, përfaqësimin në procedura civile për kompensim të dëmit material dhe jomaterial, si dhe ndërmarrjen e çdo veprimi të nevojshëm për mbrojtjen efektive të reputacionit profesional të anëtarëve.
Mbrojtje ligjore në çështjet që burojnë nga marrëdhënia e punës
Përfshihen kontestet lidhur me ndërprerjen e kontratës së punës, procedurat disiplinore, mosrespektimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës, mospagesën e pagës, diskriminimin dhe çdo shkelje tjetër të të drejtave të garantuara me legjislacionin e punës në fuqi.
Përfaqësim në procedura pensionale
Shërbimet juridike përfshijnë përfaqësimin në procedura administrative dhe gjyqësore që lidhen me fitimin e pensionit të pleqërisë, pensionit invalidor, pensionit familjar, njohjen e stazhit të punës dhe çdo kontest tjetër me autoritetet kompetente pensionale.
Përfaqësim në kontestet lidhur me konkurset publike
Ofruesi i shërbimeve përfaqëson anëtarët e Odës në kontestet që kanë të bëjnë me zbatimin e procedurave të konkurseve publike, duke përfshirë ankesat ndaj rezultateve të konkurseve, shkeljet procedurale në procesin e rekrutimit dhe kontestet administrative apo gjyqësore që rrjedhin nga këto procedura.
Si të kërkohet mbrojtja ligjore?

Anëtarët që dëshirojnë të përfitojnë nga mbrojtja ligjore duhet të drejtohen në Zyrën Ligjore të OIK-ut ose të dërgojnë kërkesën përmes emailit [email protected], duke bashkëngjitur provat dhe dëshmitë materiale lidhur me çështjen që dëshirojnë ta ngrisin.

Sigurimi i Jetës për anëtarët e OIK-ut

Sigurimi i jetës është benefit që mbulohet nga OIK-u për anëtarët e saj aktivë dhe nuk paraqet sigurim personal apo familjar shëndetësor. Mbulimi bëhet sipas kushteve të përcaktuara në policën e sigurimit.

Sigurimi i jetës përfshin:

  • Vdekje për shkaqe aksidenti.
  • Vdekje të shkaktuar nga sëmundjet profesionale.
  • Vdekje natyrale si pasojë e sëmundjeve të ndryshme.
  • Paaftësi apo invaliditet për shkak të aksidentit.
  • Kompensim për sëmundje të rënda.
  • Sëmundje onkologjike.
  • Qëndrim në spital.
  • Thyerje të kockave për shkak të aksidentit.
  • Kirurgji kozmetike për shkak të pasojave të aksidentit.

Sëmundjet e rënda përfshijnë:

Atak kardiologjikKompensim sipas kushteve të policës së sigurimit.
Intervenime kardiakeKardiokirurgji, intervenim i aortës, by-pass i aortës dhe implantim i valvulës së zemrës.
Gjendje të rënda neurologjikeSulm në tru, sklerozë multiple, paralizë, sëmundje Alzheimer dhe gjendje kome.
Gjendje të tjera të rëndaVerbëri, shurdhëri, djegie e shkallës së tretë dhe dështim kronik i veshkëve.
Sqarim: Ky sigurim nuk mbulon vizita të zakonshme mjekësore, analiza laboratorike, barna apo trajtime rutinore shëndetësore. Ai zbatohet vetëm për rastet e përcaktuara në policën e sigurimit.

Tabela e mbulesave siguruese

Nr. Përshkrimi Shuma siguruese
1Vdekje nga aksidenti3,500 €
2Invaliditet nga aksidenti1,500 €
3Paaftësi nga lëndimi në punë3,000 €
4Sëmundje onkologjike4,000 €
5Vdekje nga sëmundje profesionale3,500 €
6Vdekje natyrale deri në moshën 65 vjeçare1,000 €
7Sëmundje të rënda nga pika V750 €
8Qëndrim spitalor 7–14 ditë100 €
9Qëndrim spitalor 15–21 ditë150 €
10Qëndrim spitalor mbi 22 ditë200 €
11Kirurgji kozmetike si pasojë e aksidentit250 €

Si të bëheni përfitues?

Verifikoni statusin e anëtarësisë
Kyçuni në profilin tuaj në platformën online të OIK-ut dhe kontrolloni menynë “Pagesa e anëtarësisë”.
Gjeneroni faturën nëse kërkohet
Anëtarët e papunë, të punësuarit në sektorin privat dhe pensionistët gjenerojnë faturën për një vit. Nëse ekziston borxh paraprak, ai i bashkëngjitet faturës.
Plotësoni Pyetësorin Shëndetësor
Pyetësori gjendet në profilin e anëtarit në platformën online, në menynë “Benefitet e anëtarësisë”.
Gjenerimi i faturës nuk vlen për anëtarët e punësuar në sektorin publik, për të cilët pagesa e anëtarësisë realizohet përmes ndalesës në pagë, përveç rasteve kur për ndonjë periudhë nuk është bërë ndalesa e anëtarësisë në pagë.

Vendimi për pagesën e anëtarësisë

Për të siguruar gjithëpërfshirje të anëtarëve në këto benefite, Kuvendi i OIK-ut ka përcaktuar mënyrën e pagesës së anëtarësisë si në vijim:

  • Të punësuarit në sektorin publik paguajnë anëtarësinë në shumën prej 0.5% nga paga bruto përmes sistemit Payroll.
  • Anëtarët e papunë dhe të punësuarit në sektorin privat paguajnë 3 euro në muaj.
  • Anëtarët pensionistë paguajnë 2 euro në muaj.
  • Pagesa për anëtarët e papunë, sektorin privat dhe pensionistët bëhet në baza vjetore.

Përditësimi i listave të përfituesve

Përfitues të skemës janë anëtarët të cilët kanë përmbushur obligimet ndaj OIK-ut dhe janë përfshirë në listën e përfituesve. Anëtarët që i kryejnë obligimet pas afatit të përcaktuar vendosen në listën e pritjes për plotësim.

OIK-u bën përditësimin e listave të përfituesve një herë në gjashtë (6) muaj.