Njoftim për shtyrjen e afatit dhe sqarim rreth përfitimeve nga anëtarësia
Me qëllim që sa më shumë anëtarë të kenë mundësinë të përfshihen në skemën e sigurimit, OIK-u, në bashkëpunim me kompaninë e sigurimeve Illyria Life, ka vendosur të zgjasë afatin për përditësimin e listave të përfituesve deri më 25 Qershor 2026.
Të gjithë anëtarët e OIK-ut të cilët kanë përmbushur obligimet ndaj OIK-ut përfitojnë FALAS sigurimin e jetës, mbrojtjen ligjore, EVP dhe benefitet tjera që dalin nga anëtarësia, pa asnjë kosto shtesë.
Për të verifikuar gjendjen e anëtarësisë, anëtarët duhet të kyçen në profilin e tyre në platformën online dhe, në menynë “Pagesa e anëtarësisë”, të gjenerojnë faturën sipas vendimit të Kuvendit të OIK-ut për një vit. Në rast se ekziston borxh nga periudha paraprake, ai do t’i bashkëngjitet automatikisht faturës.
Ky veprim NUK vlen për anëtarët e punësuar në sektorin publik, për të cilët pagesa e anëtarësisë realizohet përmes ndalesës në pagë, përveç rasteve kur për ndonjë periudhë nuk është bërë ndalesa e anëtarësisë në pagë.
Për pagesat e kryera në Western Union, Capital Ria, Vllesa Pagesa apo Postën e Kosovës, OIK-u pranon raportet e pagesave një ditë më pas, andaj nuk është e nevojshme dërgimi i dëshmisë së pagesës përmes email-it. Konfirmimi i pagesës mund të verifikohet në profilin tuaj në platformën online, në menynë “Pagesa e anëtarësisë” dhe nënmenynë “Pagesat e kryera”.
Në rast se pagesa është kryer sipas vendimit të ri të Kuvendit të OIK-ut dhe pas më shumë se pesë (5) ditësh në sistem ende figuron e papaguar, ju lutemi të na dërgoni dëshminë e pagesës përmes email-it, në mënyrë që të bëhet verifikimi dhe përditësimi i të dhënave.
Pas kryerjes së pagesës, për finalizimin e procedurës së regjistrimit dhe aktivizimin e mbulimit të sigurimit, anëtarët duhet të plotësojnë Pyetësorin Shëndetësor më së largu deri më 25 Qershor 2026. Pyetësori gjendet në profilin e anëtarit në platformën online, në menynë “Benefitet e anëtarësisë”.
Anëtarët që do të kryejnë obligimet ndaj OIK-ut pas afatit të përcaktuar për përfshirje në skemën e sigurimit do të vendosen në listën e pritjes për plotësim.
OIK-u, në bashkëpunim me kompaninë e sigurimeve Illyria Life, bën përditësimin e listave të përfituesve një herë në gjashtë (6) muaj, me ç’rast anëtarët që i kanë përmbushur obligimet pas afatit do të përfshihen në listën e radhës për plotësim.
Përfitues të skemës së sigurimit janë të gjithë anëtarët të cilët kanë përmbushur obligimet ndaj OIK-ut brenda afatit të përcaktuar.