Blog

HomeLajmetNJOFTIM PËR APLIKIM PËR TRAJNIMIN PËR MBIKËQYRJE PROFESIONALE

NJOFTIM PËR APLIKIM PËR TRAJNIMIN PËR MBIKËQYRJE PROFESIONALE

NJOFTIM PËR APLIKIM PËR TRAJNIMIN PËR MBIKËQYRJE PROFESIONALE

Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë të Kosovës (OIK) njofton të gjithë anëtarët e interesuar se, në zbatim të Rregullores për Mbikëqyrjen Profesionale dhe në bazë të Vendimit të Këshillit Drejtues të OIK-ut, Nr. Prot. 454, datë 28.08.2026, është hapur procedura për përzgjedhjen e kandidatëve për vijimin e Trajnimit për Mbikëqyrje Profesionale.

Trajnimi synon përgatitjen dhe certifikimin e profesionistëve shëndetësorë të cilët do të angazhohen në ushtrimin e mbikëqyrjes profesionale në kuadër të kompetencave të OIK-ut.

 

  1. KRITERET PËR APLIKIM

Në pajtim me nenin 6 të Rregullores për Mbikëqyrjen Profesionale, kandidatët duhet t’i plotësojnë këto kushte:

  1. Të kenë të përfunduar së paku nivelin Bachelor në infermieri, mami ose profesion tjetër shëndetësor dhe të jenë anëtarë të OIK-ut;
  2. Të posedojnë licencë valide të lëshuar nga OIK-u;
  3. Të kenë së paku 7 (shtatë) vjet përvojë pune në fushën përkatëse;
  4. Të mos kenë shkelje të Kodit të Etikës dhe të mos jenë të dënuar me vendim të plotfuqishëm për vepra që lidhen me ushtrimin e profesionit;
  5. Të mos jenë të dënuar me vendim të plotfuqishëm të gjykatës për vepra penale;
  6. Mbikëqyrësi profesional nuk mund të ushtrojë mbikëqyrje profesionale në institucionin ku është i punësuar;
  7. Personi që kryen mbikëqyrjen profesionale duhet të ketë së paku të njëjtin nivel të kualifikimit profesional me profesionistin që mbikëqyret.

 

  1. DOKUMENTET E NEVOJSHME PËR APLIKIM

Për të dëshmuar plotësimin e kritereve të mësipërme, kandidatët duhet të dorëzojnë:

  1. Kopjen e diplomës së nivelit Bachelor ose të një niveli më të lartë të kualifikimit profesional;
  2. Kopjen e licencës valide të lëshuar nga OIK-u;
  3. Dëshmi për së paku 7 (shtatë) vjet përvojë pune në fushën përkatëse, të lëshuar nga punëdhënësi/punëdhënësit;
  4. CV profesionale, me të dhëna mbi shkollimin, përvojën profesionale dhe angazhimin aktual;
  5. Dëshmi nga gjykata kompetente se kandidati nuk është i dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale.
  6. Kopjen e dokumentit valid të identifikimit të Republikës së Kosovës (letërnjoftim ose pasaportë)

Statusi i anëtarësisë, validiteti i licencës dhe eventuale shkelje të Kodit të Etikës do të verifikohen nga OIK-u përmes evidencave zyrtare të institucionit.

 

  • MËNYRA E APLIKIMIT

Dokumentacioni i plotë për aplikim mund të dorëzohet:

  • në mënyrë elektronike, në adresën: [email protected]; ose
  • fizikisht, drejtpërdrejt në Zyrën Ligjore të OIK-ut.

Në subjektin e emailit duhet të shënohet: “Aplikim për Trajnimin për Mbikëqyrje Profesionale – Emri dhe Mbiemri”

Aplikimet e dorëzuara pas afatit të përcaktuar nuk do të merren në shqyrtim.

 

  1. NUMRI DHE PËRZGJEDHJA E KANDIDATËVE

Në kuadër të këtij programi do të përzgjidhen gjithsej 30 kandidatë.

Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet në bazë të kualifikimit profesional dhe plotësimit të kritereve të përcaktuara me Rregulloren për Mbikëqyrjen Profesionale. Gjatë përzgjedhjes do të merret parasysh edhe përfaqësimi profesional dhe institucional, si dhe nevojat e sektorit publik dhe privat të sistemit shëndetësor.

 

  1. AFATI PËR APLIKIM

Aplikimi do të jetë i hapur nga 30 shtator 2026 deri më 15 tetor 2026.

Të gjithë anëtarët e OIK-ut të cilët i plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 6 të Rregullores për Mbikëqyrjen Profesionale ftohen të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar.

 

  1. ZHVILLIMI I TRAJNIMIT

Trajnimi për kandidatët e përzgjedhur do të mbahet nga 2 deri më 6 nëntor 2026.

Trajnimi do të zhvillohet me angazhimin e ekspertëve klinikë të deleguar nga Oda e Infermierëve e Kroacisë, të cilët do të realizojnë programin e trajnimit dhe metodologjinë e vlerësimit të kandidatëve.

Pas përfundimit me sukses të programit të trajnimit, kandidatët do të certifikohen në cilësinë e Mbikëqyrësit Profesional.

 

  • FILLIMI I ZBATIMIT TË MBIKËQYRJES PROFESIONALE

Zbatimi i Mbikëqyrjes Profesionale në kuadër të OIK-ut do të fillojë nga 1 janari 2027.

OIK-u i fton të gjithë anëtarët që i plotësojnë kriteret e përcaktuara që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë brenda afatit të paraparë.

 

ODA E INFERMIERËVE, MAMIVE DHE PROFESIONISTËVE TË TJERË SHËNDETËSORË TË KOSOVËS (OIK)