Blog

HomeLajmetNënshkruhet marrëveshje për sigurimin e jetës dhe shëndetit për profesionistët shëndetësorë në Kosovë

Nënshkruhet marrëveshje për sigurimin e jetës dhe shëndetit për profesionistët shëndetësorë në Kosovë

Prishtinë, 4 maj – Oda e infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë ILLYRIA Life, me qëllim ofrimin e sigurimit të jetës për anëtarët e saj.

 

Në ceremoninë e nënshkrimit, përfaqësuesit e Odës vlerësuan se kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë dhe mirëqenies së profesionistëve shëndetësorë në vend. Sipas tyre, përveç aspektit institucional, marrëveshja synon të mbështesë konkretisht infermierët, mamitë dhe profesionistët e tjerë, të cilët çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë.

 

U theksua se profesionistët shëndetësorë janë shtyllë e sistemit shëndetësor dhe përmes kësaj marrëveshjeje synohet krijimi i mundësive më të mira për mbrojtje, stabilitet dhe mirëqenie për ta dhe familjet e tyre.

 

Nga Oda u bë e ditur se kjo është hera e parë në Kosovë që realizohet një marrëveshje e tillë për sigurimin e jetës për këtë kategori profesionale, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm dhe domethënës.

 

Përfaqësuesit e Odës falënderuan bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që kontribuuan në arritjen e kësaj marrëveshjeje, si dhe kompaninë ILLYRIA Life për korrektësinë dhe profesionalizmin e treguar gjatë procesit.

 

Palët u shprehën të bindura se kjo marrëveshje do të shërbejë si bazë për një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë, në funksion të përmirësimit të kushteve dhe sigurisë për profesionistët shëndetësorë në Kosovë.